KOMISIONI I SË VËRTETËS

Një mandat i vërtetë

Përshëndetje. Emri im është Josef Martinsen. Do ta filloj këtë prezantim duke ju treguar për qëllimin tim me këtë ueb faqe të re.

Pasi kam punuar dhe jetuar në Ballkan për 15 vitet e fundit, shumicën e kohës në Kosovë dhe Serbi, i kam përjetuar pasojat e vrasjeve ndaj të cilave askush nuk duhej të ishte ekspozuar në prag të mileniumit të ri. Shpresa ime është që brezi i ri në Serbi dhe Kosovë ta shohin mundësinë unike që e kanë për ta ndikuar shoqërinë e tyre për t’u larguar nga mënyra e tyre e zakonshme e të menduarit.

Si pensionist i hershëm vendosa që të marrë përsipër një detyrë tetë-muajshe me Ndihmën e Kishës Norvegjeze (NKN) dhe Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe përfundova në Kosovë në korrik të vitit 1999 duke e koordinuar heqjen e trupave të njerëzve nga puset. Para arritjes sime aty, unë nuk dija shumë për Kosovën përveq faktit themelor se ishte e vendosur në Ballkan, si pjesë e Jugosllavisë. Për ne në Skandinavi njerëzit në këtë rajon referoheshin si Jugosllavë. Ne asnjëherë nuk e bënim dallimin ndërmjet kombësive që jetonin këtu. Pas vdekjes së presidentit afatgjatë të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, udhëheqës të rinj si Sllobodan Millosheviqi, Franjo Tuxhman dhe Alija Izetbegoviq u paraqitën në skenën politike, të cilët arritën të grisnin shtetin jugosllav. Vetë shteti filloi në vitin 1918 si Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe pas luftës së II Botërore u njoh si Republika Socialiste Federale e Jugosllavisë (RSFJ).

Arsyeja pse unë po e ndërmarr inciativën “Komisioni i së Vërtetës Serbi-Kosovë” është nga dashuria ime për Ballkanin dhe të gjithë njerëzit që jetojnë këtu. Kam shpenzuar shumë vite duke e studiuar se ҫfarë ndodhi dhe në dokumentimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. Katërqind varre masive janë raportuar dhe regjistruar në Këshillin e Sigurimit të KB-së, në nëntor të vitit 1999 nga Kryeprokurorja Karla Del Ponte në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte për ish Jugosllavi (GJND).

Ajo që e kam përjetuar dhe dëshmuar personalisht gjatë tetë muajve që punova për NKN-në dhe UNHCR-në (Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë), dhe në vitet vijuese duke i dokumentuar krimet e luftës, ishte në plotëkuptimin e fjalës, tmerruese.

Po mendoja brenda vetës sime: Si ka mundur të ndodhë një gjë e tillë në vitet 1998-99, në prag të mileniumit të ri në zemër të Evropës?

Pas përfundimit të detyrës sime me UNHCR/NKN-në në vitin 2000, unë e fillova një iniciativë personale në vitin 2006 për ta dokumentuar sfondin e atyre katërqind varreve masive që përmbanin me mijëra civilë. Asnjë autoritet zyrtar, duke përfshirë Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) apo autoritetet vendore vepruese në atë kohë, nuk e kishin ndërmarrë ndonjë iniciativë që t’i dokumentonin rrethanat përreth varreve masive dhe ngjarjet që ҫuan në atë se ҫfarë në të vërtetë kishte ndodhur atje.

Në bibliografinë e librit tim “Ҫfarë Ndodhi në Kosovë 1998-99”, do të gjeni referenca të dëshmive nga serbë dhe shqiptarë që morën pjesë në vrasjet ose personalisht i dëshmuan ngjarjet:

  • Disa prej këtyre dëshmive janë shënuar në librin, “Podujeva 1999, Përtej Dyshimit të Arsyeshëm” publikuar nga Qendra Humanitare Juridike, i cili dokumenton detaje të rastit të krimeve të luftës në Podujevë, e cila ndodhi me 28 mars 1999 (faqet 5-201). Libri i referohet seancave pesë-vjeҫare të gjykatës, dënimeve dhe shqiptimeve i cili flet për një nga njësitet rezerve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë të quajtur “Skorpionët”, të cilët ishin përgjegjës për vrasjen e më shumë se pesëmbëdhjetë civilëve – fëmijë, gra dhe burra në një oborr shtëpie. Anëtarët e “Skorpionëve” rrëfyen për këto vrasje.
  • Sevtlana Gjorgjeviq, një vozitëse taksie 1995-99 në Fushë Kosovë në vitin 2003 e shkroi “Svedocanstvo o Kosovu” (ISBN 86-8299-43-0) e cila tregon për përvojat e saj të vrasjeve të kryera nga forcat policore serbe. Si pasojë e përndjekjes dhe ngacmimit në Serbi ajo mori azil në Norvegji.
  • Në artikullin “Manipulimi i Serbisë në Kosovë: Kush i Fshehu Trupat?” (publikuar nga hulumtimi i BIRN-it, 23 prill 20015) autorja Marija Ristiq shkruan se zyrtarët dhe policët e Beogradit që morën qindra kufoma të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi dhe i fshehën ato në varre masive nuk janë ndjekur asnjëherë penalisht në vendin e tyre.
  • Fadil Muqolli nga fshati Pokleku i Vjetër, e humbi tërë familjen e tij- bashkëshorten, fëmijët, babain dhe vëllezërit e motrat- gjithsej katërmbëdhjetë, të cilët ishin masakruar në mes pesëdhjetë e dy njerëzve të vrarë dhe djegur në një shtëpi. Në një intervistë Fadili më tha se ai ishte i gatshëm që t’i falte vrasësit nëse autoritetet serbe do t’i pranonin vrasjet e kryera nga forcat e tyre. Rajoni, tha ai, nuk do të shërohej psikologjikisht asnjëher përveҫ nëse qeveritë e përfshira e kuptojnë domosdoshmërinë e pranimit. Gjermania i njohu dhe i pranoi vrasjet e nazistëve gjatë Luftës Dytë Botërore dha ajo e shtroi rrugën për normalizim.

A na nevojitet një Komision i Së Vërtetës? Padyshim që mendoj se po!

Arsyeja mbrapa krijimit të një ueb-faqeje është dëshira ime për të parë një marrëdhënie më të mira ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe romëve në Kosovë dhe Serbi. Gjatë kohës time në këtë rajon, kam parë vuajtje në të gjitha anët e konfliktit. Jam marrë me ҫështjet shqiptare dhe serbe në lidhje me krimet e luftës ndaj civilëve të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-99. Situata aktuale tani në maj të vitit 2015, 16 vjet pas këtyre ngjarjeve, nuk është akoma e mirë. Tensioni që ka mbizotëruar në njëqind vitet e fundit ka qenë disi një Gordian Knot. Sidoqoftë, egziston një kohë në historinë e çdo kombi kur një brez i ri me ide të reja del në skenë, duke e ndryshuar drejtimin dhe fatin e së ardhmes të një vendi. Ata e shohin rëndësinë e të mos pasurit nevojë që të barten më barrët historike dhe politike me të cilat paraardhësit e tyre kanë qenë të ngarkuar. Besoj se ka ardhur koha që kjo të ndodhë në këtë rajon dhe brezit të ri të sotëm i është dhënë një mundësi unike për të krijuar një të ardhme më të mirë për vetën, fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të tyre. Ata do ta arrijnë këtë duke e ndryshuar drejtimin e vendit të tyre në lidhje me qëndrimet ndaj gjërave të zakonshme si të drejtat e barabarta, komunikimi, negociata, arsyeja, kompromisi në mënyrë që të krijojnë besim dhe paqe për popullin e Kosovës dhe Serbisë.

Komisioni i së Vërtetës” kërkon kompromise në të gjitha aspektet e problemit aktual. Sidoqoftë, Ballkani nuk i ka regjistrat, përvojën apo historinë e të bërit kompromise.

Qëllimi i “Komisionit të së Vërtetës”, pjesëmarrësit e të cilit janë organe ndërkombëtare si dhe kontribues lokal, duhet t’i inkurajoj të gjitha palët e përfshira për të arritur një kompromis në mënyrë që ta shtrojë rrugën për një të ardhme më të mirë.

Brezi i ri në Serbi dhe Kosovë sot e ka një mundësi unike që ta thyej këtë qark të ligë të lojës politike “tit tat” që ka zgjatur jashtëzakonisht shumë dhe i ka mbushur punët e brendshme dhe të përbashkëta të shteteve. Ata mund ta arrijnë atë që paraardhësit e tyre dështuan që ta realizojnë, pra që të krijojnë një ambient për bisedime të përbashkëta në të gjithat nivelet pa pasur frikë nga fqinji i cili mund të kthehet kundër tyre me hakmarrje ose vetëm për shkak se ata e kanë një këndvështrim tjetër për gjërat që po ndodhin.

Bazuar në dy librat “Puset e Vdekjes në Kosovë” dhe “Ҫfarë Ndodhi në Kosovë 1998-1999 –Dokumentin” dhe filmi dokumentar “Procesi pas një Lufte”, autori përpiqet që të përqendrohet në mundësitë që ta përfshijë brezin e ri në Kosovë dhe Serbi që t’i trajtojnë gjërat vijuese:

1. Të vërtetën në lidhje me krimet e luftës në Kosovë.

Si burime informacioni librat e sipërpërmendur dhe dokumentari së bashku me hetimin e kryer nga GJND-ja (Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Jugosllavi) janë në dispozicion të cilat do të mund ta shtronin rrugën për pajtim dhe procesin drejt faljes, për ta lehtësuar dhe përfundimisht për ta mbyllur armiqësinë mes grupeve.

2. Të themeloj një lloj “Komisioni të së Vërtetës” që do të mund të ҫonte drejt një kapitulli të përbashkët në përpjekje për ta themeluar të vërtetën.

As edhe njëherë në shekullin e kaluar nuk ka egzistuar një tregim historik që është aprovuar nga të gjitha grupet në rajon. Është koha që të dilet me një tregim të parë të tillë, në këtë rast të periudhës 1998-99 në Kosovë. Kjo ndoshta është mundësia më e mirë dhe e vetme për të ndryshuar drejtim ndaj të drejtave të barabarta, komunikimit, negociatave, arsyes dhe kompromisit për të krijuar besim reciprok dhe paqe për popullin e Kosovës dhe Serbisë.