SITUATA AKTUALE – GRATË E PËRDHUNUARA

Letër e hapur (III) drejtuar Ministrit Arban Abrashi, Geverisë dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaqi

AKTI III – NË LIDHJE ME TRAJTIMIN TETËMBËDHJETË VJEҪAR DEGRADUES DHE TURPËRUES NGA ANA E QEVERISË TË VIKTIMAVE FEMRA TË KRIMIT TË PËRDHUNIMIT SEKSUAL GJATË LUFTËS.

 

LETËR E HAPUR (III) DREJTUAR MINISTRIT ARBAN ABRASHI, QEVERISË DHE PRESIDENTIT TË KOSOVËS HASHIM THAQI.

Shkruan Josef Martinsen

Hyrje
Shkurti i vitit 2017 erdhi! Vera që vjen do të shënoj tetëmbëdhjetë vjet që nga përfundimi i luftës.
Dimri i fundit ka qenë shumë i ftohtë, në veҫanti për 423 viktimat e regjistruara femra të të përdhunuara gjatë luftës të cilat ende nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga qeveria. Besoj se politikanëve nuk ju ka munguar asgjë. Jam i sigurtë se kanë pasur drurë për dimër që t’i mbajnë shtëpitë e tyre të këndshme dhe të ngrohta. Që nga përfundimi i luftës, 298 prej viktimave femra të krimeve të përdhunimit gjatë luftës kanë vdekur si pasojë e kushteve të vështira të jetesës. Menjëherë pas luftës më shumë se njëmbëdhjetë mijë viktima femra të krimeve të përdhunimit që janë regjitruar nga OJQ-të ndërkombëtare janë larguar nga Kosova sepse, siҫ thanë ato, nuk shihnin të ardhme në Kosovë. Ato e dinin nga historia se ato kurrë nuk do të arrinin një trajtim të drejtë dhe të barabartë në shoqëri dhe doli se kishin të drejtë! Shikoni situatën në të cilën ndodhen këto viktima të mbetura në Kosovë!

Situata
Më kujtohet në verën e vitit 1999 kur erdha për herë të parë në Kosovë dhe pashë nga afër një vend të shkatërruar ku njerëzit ishin të shpërndarë jashtëvendit dhe nëpër male si pasojë e dëbimit me dhunë gjatë luftës. Njerëzit dhe politikanët më thanë se sa të lumtur ishin që SHBA-ja dhe Britania e Madhe bashkë me NATO-n i ҫliruan nga një e ardhme si refugjatë.

Këta njerëz dhe politikanë të njëjtë më thanë se sa të lumtur ishin dhe se ata të gjithë tani ishin të përkushtuar që të qëndronin bashkë dhe ta ndërtonin një të ardhme demokratike dhe të drejtë për të gjithë qytetarët ҫofshin ata meshkuj apo femra, pavarësisht pozitës së tyre në shoqëri. Shumë prej këtyre njerëzve dhe politikanëve të cilët gjatë konfliktit me autoritetet serbe u larguan nga Kosova u mirëpritën dhe morën përkujdesje në shumë vende të Evropës dhe Amerikës para se të ktheheshin për ta ndërtuar një vend të shkatërruar.

Ata disi akoma e mbajnë një qëndrim kundërshtues ndaj grave, duke qenë të bindur se femrat janë më inferiore se meshkujt, veҫanërisht kur janë në pyetje gratë e përdhunuara. Ata e konsiderojnë këtë temë si tabu. Popullata mashkullore dështoi që t’i mbrojë nënat, vajzat, motrat dhe bashkëshortet e tyre të cilat nuk kishin asnjë mundësi që të shpëtonin nga armiku sepse ato po kujdeseshin për familjen gjatë luftës.

Në vend që menjëherë të fokusoheshin në përkujdesjen për më të pambrojturat e viktimave të krimeve të luftës, politikanët filluan ta luftonin njëri-tjetrin në mënyrë që të arrinin pushtet dhe pozitë për veten dhe familjet si dhe farefisin e tyre. Situata u përkeqësua aq shumë sa që u përdorën armë kundër kundërshtarëve politik. Fokusi kryesor politik për politikanët dukej se ishte, “ҫfarë mund të përfitoj unë dhe familja ime nga kjo? Le të marrim gjithҫka mundemi ndërsa jemi në pushtet—kurrë nuk i dihet se për sa kohë do të jemi në pushtet”! Ata nuk ishin mjaft të urtë që ta kuptojnë se ata duhej ti drejtonin punët e shtetit dhe jo të familjes e farefisit.

Kjo ka qenë situata në Kosovë që nga vera e vitit 1999 dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-u) që në fakt kishte pushtet ekzekutiv për tetëmbëdhjetë vjetët pasuese e lejoi këtë- turp edhe për ta!

Unë kurrë nuk e kam dëgjuar ose parë këtë lloj trajtimi ҫnjerëzor nga një shtet i pavarur në Evropë ndaj viktimave të tyre femra të luftës. Një trajtim të tillë e kam parë dhe dëgjuar vetëm në vende të lindjes së afërt dhe largët si dhe në Afrikë, ku shpeshherë i akuzojnë vetëm femrat të cilat kanë qenë viktima të krimit seksual për përdhosjen e kulturës dhe “nderit të familjes” të cilat jo vetëm që ishin viktima por ato gjithashtu u etiketuan ose akuzuan nga shoqëria si lavire!

Ku janë intelektualët, shkrimtarët, udhëheqësit fetarë, gazetarët dhe akademikët? Ku është ndjeshmëria?

Si të veprohet menjëherë dhe të sigurohet ndihmë për grupin e regjistruar të viktimave femra të krimeve të luftës para se të jetë tepër vonë?

Në një artikull të mëparshëm e kam sugjeruar një zgjidhje të shpejtë që mund të vendoset nga Ministri përgjegjës dhe Qeveria brenda një jave:

  1. Të caktohet një pension i përkohshëm prej 500 eurosh në muaj deri sa të gjindet një zgjidhje përfundimtare.
  2. Shpenzimet mund të vendosen në një llogari të ndërmjetme shtetërore dhe të balancohen ose duke i përfshirë shpenzimet në buxhetin e zakonshëm vjetor dhe/ose të kërkohet kompensim përmes gjykatave kombëtare ose ndërkombëtare për viktimat femra të përdhunuara gjatë luftës.

Të vazhdohet me ushtrime gojore siҫ ka bërë qeveria që gati tetëmbëdhjetë vjet, për mendimin tim është keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe bazë për padi.

Në një nga artikujt e mi të mëhershëm e përmenda autorin e mirënjohur hebre, fituesin e Ҫmimit Nobel për Paqe dhe mbijetuesin e Holokaustit, Eliezer “Elie” Wiesel, i cili njëherë tha se tiparet më të rrezikshme dhe të frikshme të një shoqërie janë indiferenca ndaj tjerëve dhe lakmia e tyre.

Kështu që, kujdes!